Home AKTUALITET Rrëfimi tronditës: U shita në Itali nga i dashuri im

Rrëfimi tronditës: U shita në Itali nga i dashuri im

857
0

E ftuar sot tek “Ka Një Mesazh Për Ty” ishte Valbona”. Historia e Valbonës nis 26 vite më parë, në Elbasan, kur në vitin e fundit të gjimnazit u njoh me një djalë.

E rritur me dashuri, e lumtur dhe në hapat e parë të një lidhjeje, ajo ndihej plot shpresa për të ardhmen deri në ditën kur ndryshoi gjithçka dhe jeta e saj do të kthehej përmbys brenda një taksie.

Valbona: Në vitin ‘96, isha maturante, njoha një djalë që ishte kthyer nga Italia dhe ishim shumë të lidhur në kuptimin që u pëlqyem sapo u pamë.

Ardit Gjebrea: Shpirtëror? Asgjë fizike?

Valbona: Asgjë fare. Ai me kalimin e kohës, ditëve, më njohu me një shokun e vet të ngushtë dhe më thotë “mund të flasësh me të hapur pa problem sepse ky është një person shumë i dashur për mua dhe nuk mund të bëjë keq” dhe unë i besoja të gjitha fjalëve të tij si një e dashuruar për herë të parë dhe kjo vazhdoi gati një muaj, një muaj e gjysmë, jo më tepër. Një ditë pasi kthehesha nga kisha sepse shkoja çdo mëngjes në kishë për meshën, po shkoja në shkollë, ishte ora 7:30  e mëngjesit, e nisja shkollën në 8:00. Rrugës më ndalon shoku i tij dhe më thotë “i fejuari yt është në Itali dhe po na pret”. I thashë “ai nuk më ka thënë asgjë”, “epo më tha mua që të marr dhe ne të dy të nisemi që tani në këtë moment dhe të nisemi atje”, tha.

Ardit Gjebrea: Ti e kishe biseduar me shtëpinë?

Valbona: Absolutisht fare.

Ardit Gjebrea: Shtëpia e dinte ekzistencën e këtij djali?

Valbona: Dinte thjesht që mua më pëlqente një djalë por se kush ishte, nuk dinte, nuk e njihte. Thashë “gjëja e parë që do të bëj do të iki në shtëpi, duhet të lajmëroj patjetër, nuk mund të nisem pa thënë gjë”. Ai thotë “po, por rruga është shumë e gjatë dhe nuk mund të vonohemi”. Unë aty, nuk e di, pata një moment humbjeje dhe më thotë “ne duhet të nisemi urgjentisht sepse nisen gomonet dhe ne nuk mund të arrijmë me vonesë. Por unë të premtoj që ti do t’i lajmërosh prindërit e tu”, “okej” i thashë, “nëse ti më premton këtë” dhe unë duke menduar gjithmonë të fejuarin tim që më thotë të kesh besim te ky person, i besova vërtet.

Në atë moment më thotë të hipim në një taksi që ishte aty buzë rruge dhe nisemi. Kur hipa në taksi prapa, ky hipën përpara, takoj një djalë tjetër aty brenda, ishte aty dhe ky më thotë “të prezantoj me një shokun tim dhe nëse na pyesin rrugës, po na ndaluan, do thuash që jeni të fejuar. I thashë “unë nuk e njoh, nuk ka gjë, rëndësi ka që për policinë ose dikë që na ndalon të thuhet kjo”, tha. “Okej”, i thashë.

Nga taksia që e rrëmbeu në Elbasan në vitin 1996, Valbona përfundoi në një shtëpi në Vlorë, me një njeri që nuk e njihte. Nga i fejuari i saj nuk kishte asnjë lajm e po ashtu, as nga shoku i besuar i tij, i cili e la pikërisht në këtë shtëpi. Tashmë Italia po dukej larg dhe nuk i dukej më aspak se gjërat ishin në vendin e tyre, por rrugëdalja nuk ishte ende e mundur. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Valbona kujton një trokitje dere që nuk do t’i ngjallte shpresën, por frikën.

Valbona: Dëgjova këtë trokitjen e fortë në derë dhe del jashtë, hap derën dhe unë shikoj tek tenda, e hap pak dhe shoh që ishte një grup djemsh, të gjithë të armatosur dhe fillojnë të bashkëbisedojnë, por jo normalisht, me zë të lartë dhe unë dëgjoja ndonjë fjalë që më prekte jashtë mase që thonin “tani duhet ta nxjerrësh jashtë urgjent sepse ne kemi ardhur për të”. Shumë e frikësuar në ato momente dhe kur ata ikën, më tha “nuk po ndodh asgjë, nuk ka problem”.

I thashë “ti duhet të më tregosh të vërtetën sepse unë diçka dëgjova”, ai tha “ata ishin këtu për ty, donin të të merrnin sepse çdo vajzë që vjen në Vlorë, kalon përpara në duart e tyre, pastaj niset për Itali”. Unë i thashë “nuk e kuptoj këtë kalojnë në dorë të tyre sepse nuk jam e tillë, ti nuk më njeh ndoshta, por unë veten time e njoh shumë mirë, unë jam akoma e virgjër”. Ia thashë këtë fjalë sepse u tremba jashtë mase dhe se ishte e vërteta ime. Ai më tha “ti mos ki frikë sepse unë do bëj të pamundurën që të të mbroj ty”. Më çoi në një familje tjetër, të dy bashkëshortëve pleq që ishin vetëm dhe nuk arrija që të kisha një lidhje me familjen time sepse më mbante mbyllur. Isha si një e burgosur në të vërtetë dhe isha shumë keq.

Ardit Gjebrea: Sa kohë qëndrove?

Valbona: Gati një muaj. Mbyllur.

Ardit Gjebrea: Në Vlorë?

Valbona: Në Vlorë dhe në të njëjtën kohë, familja ime, veçanërisht mami, më kërkonte çdo natë shkonte në komisariatin e policisë dhe mua më kërkonte edhe Interpoli me një fotografi të zmadhuar timen, por në të vërtetë nuk isha në asnjë qytet të Italisë, në asnjë vend sepse unë isha në Vlorë, nuk isha nisur ende. U nisëm tre herë me gomone dhe vetëm të tretën herë arritëm në Itali.

Tentativa e tretë e dërgoi Valbonën në Itali, në një shtëpi në Torino ku nuk kishte askënd që njihte: as të fejuarin, as shokun e tij dhe as njeriun që e mbajti të burgosur në Vlorë. Vetëm 18 vjeçe, ajo kuptoi se kishte rënë viktimë e trafikimit. Pengu i saj më i madh, rrëfen për “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E diela shqiptare”, program i Tv Klan, ishte nëna që kishte lënë pas në Elbasan, e cila e kërkonte ngado, po ajo vetë kishte humbur dëshirën për të jetuar. Tashmë ishte pronë e një tutori, në një shtëpi në Itali ku ushtrohej prostitucion.

Valbona: Kur shkuam në Torino më çuan në një shtëpi të disa djemve që punonin, por kishin edhe vajza që jetonin aty bashkë me ta. Unë aty pata një shok të jashtëzakonshëm sepse këto vajza jo vetëm që bënin atë punë, por flisnin dhe shumë keq. Në ato momente jeta ime nuk kishte më kuptim. Isha një njeri që jetoja kot, më dukej vetja e tepërt në botë, kisha një peng të madh që nuk flisja me mamin, nuk e kisha lajmëruar për asgjë.

Ardit Gjebrea: Kishe mundësi dhe nuk e bëre?

Valbona: Nuk kisha mundësi. Asnjë.

Ardit Gjebrea: Kur e kuptove që ishe viktimë e trafikimit, cili ishte momenti?

Valbona: E kuptova kur fola shumë qartë me këtë djalin.

Ardit Gjebrea: Që në Vlorë?

Valbona: Jo, në Torino.

Ardit Gjebrea: Kur shkove te ajo shtëpia që ishin djemtë, vajzat, kuptove se çfarë ndodhi?

Valbona: Aty e kuptova më së miri sepse ishte e pamundur mos ta kuptoja. E pyes, i them “tani duhet të di të vërtetën se është e kotë të ma mbash të fshehur” dhe më tregon që unë isha e blerë nga ai dhe këta dy djem, i dashuri im dhe shoku i tij më kishin shitur te ai djalë dhe unë i përkisja vetëm atij, isha pronë e tij nga momenti që ai kishte paguar lekët për mua.

Ardit Gjebrea: Pra ishte tutori yt?

Valbona: Ishte tutori im dhe ishte gjithçka për mua.

Ardit Gjebrea: Ti ishe skllavja e tij? Çdo gjë që thoshte ai ti duhej ta bëje?

Valbona: Po, ishte urdhër për mua.

Ardit Gjebrea: Valbona, nëse mundesh, si ishte hera e parë kur ai të forcoi të dilje në rrugë? Të nxori në rrugë, ia doli?

Valbona: Për të dalë në rrugë ia kam kërkuar unë atij.

Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?

Valbona: Ai u dashurua shumë me mua dhe nuk donte absolutisht që unë ta bëja atë si profesion dhe unë të dilja në rrugë të bëja prostitutën për të. Kur ai më njohu mirë se kush isha unë, më propozoi që të martoheshim.

Ardit Gjebrea: Ai u dashurua, të donte vetëm për vete dhe pavarësisht se të bleu, tha “ti do rrish këtu me mua”?

Valbona: Po. Por prapë kisha ndrojtjen time ngaqë u dogja njëherë keq, nuk i besoja deri në fund.

Ardit Gjebrea: Ai ishte personi i parë në jetën tënde?

Valbona: Po.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha në momentin që do dilje në rrugë, si reagoi?

Valbona: Më tha “si është e mundur kjo, pse ti duhet të vendosësh një gjë të tillë, unë nuk dua”.

Ardit Gjebrea: Po pse e bëre ti këtë gjë?

Valbona: E bëra sepse unë doja të ikja prej tij, doja të organizoja një mënyrë.

Në këtë moment, Valbona kishte mundur të fitonte pak nga besimi i tutorit të saj, aq sa për të mundur të kryente telefonatën për të cilën i digjej zemra.

Valbona: Ia kërkova, i thashë “duhet të marr në telefon në shtëpi, të lajmëroj mamin që jam gjallë , e ndiej veten shumë në faj”.

Ardit Gjebrea: U bind ai në ndonjë moment?

Valbona: Ai u bind dhe më futi në një kabinë telefonike, më çoi të telefonoja, bëra numrin dhe më përgjigjet mami “alo kush është”, i thashë “mami, jam Bona”. Akoma sot kam shumë emocione sepse kishte kaluar një muaj e disa ditë kur fola me të dhe sikur e ndjeva shumë afër, shumë pranë. Më thotë “ti je Bon?”, i thashë “po mami, jam gjallë”. Në atë moment nuk kishte gjë më të bukur për mua të dëgjoja zërin e saj. I thashë “mami të dua shumë”. E mbylla dhe telefonin se ai e pa që u bëra shumë keq dhe pastaj u kthyem në shtëpi, por kjo e folur me mamin më dha një fuqi të jashtëzakonshme.

Nata e parë në një rrugë të Torinos teksa kruspullosej nga frika, solli përpara Valbonës një të njohur, të cilit i komunikoi një mesazh për motrat e saj. Atë natë, Valbona u kthye në shtëpinë e tutorit të saj e lumtur, me shpresë se makthi do të mbaronte.

Ditën e dytë, ajo ngulmoi sërish të dilte në rrugë edhe pse nuk kishte sjellë asnjë prodhim për  tutorin e saj. por ndërkohë kishte marrë një njoftim se motrat e saj ishin nisur nga Brescia drejt saj. Ora e caktuar kaloi, akrepat vazhdonin tik tak-un e tyre dhe ajo vazhdonte të priste në trotuar, derisa në këmbët e saj ndaluan dy njerëz.

Valbona: Në orën 2 të natës, kalojnë dy karabinierë në këmbë, jo me makinë, vijnë dhe ndalojnë përpara meje. Në atë moment, siç isha ulur, ngrihem se më thërrasin “zonjushë, mund të ngrihesh në këmbë?” U ngrita menjëherë në këmbë dhe isha shumë e lumtur atë moment se thashë motrat nuk erdhën dhe duhet patjetër të iki me këta.

Më thanë “si e ke emrin?”, i thashë “Valbona, dua t’ju them diçka para se të vazhdojmë, duhet të vij me ju sonte sepse motrat e mia duhet të vinin të më merrnin në orën 12, por nuk kanë ardhur, nuk e di pse, ka ndodhur diçka e paparashikuar, unë duhet  të vij me ju sepse nuk kam më rast tjetër të vij, të shpëtoj”.

Më thanë “patjetër ti do të vish por ne sonte kemi diçka për të të thënë ty, që atje mbrapa, te ajo kthesa e rrugës janë tre persona që po të presin”. Ishin dy motrat  e mia dhe një prift bashkë me to që i shoqëronte. Ngre dorën njëri prej tyre dhe thotë “hajdeni vajza”. Nuk arrija ta besoja, kthej kokën dhe shoh dy motrat e mia, thosha “kjo është e pamundur që po më ndodh, nuk e besoja dot”. Karabinierët na thanë” tani duhet  të shkojmë urgjentisht, duhet të ikim prej këtu”. Afrohemi te makina dhe ikim, takohemi edhe me priftin.

Ardit Gjebrea: Po ai?

Valbona: Atë nuk e pashë më atë natë. /tvklan

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here