Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në konferencën për media tha se gjatë takimit me Berishën, ia kishte bërë të qartë ish-kryeministrit se bashkimi i demokratëve ndodh vetëm nëse edhe ai jepte dorëheqjen.
Përsa i përket vendimit të Gjykatës, e cila certifikoi Kuvendin e 11 dhjetorit, Alibeaj tha se vendimi i sotëm nuk ndryshon asgjë, pasi nuk ëhstë një vendim përfundimtar, teksa shtoi se PD do ta ankimojë.
“Për shkak dhe të profesionit tim si juristi, kjo kultura e të respektuarit të ligjit, vendimi i sotëm nuk ndryshon asgjë rreth ekzistencës, relevancës së institucioneve të PD-së.
Kur gjykata të flasë në fund, pasi ne të bëjmë ankimin përkatës dhe bashkë me të kallëzimin penal, institucionet e PD-së janë këto që janë. Unë jam në këtë karrige si një nga nënkryetarët e PD-së, si kryetar i grupit parlamentar dhe do të respektoj deri në fund vullnetin e demokratëve të mishëruar tek statuti. Unë besoj se isha i qartë në qëndrimin politik. PD-ja, demokratët pas 30 viteve nuk mund të synojnë jo vetëm për logjikë dhe për eksperiencë, dhe si nevojë e kohës të synojnë të ardhmen duke parë nga e shkuara. Nuk mund të synojnë të ardhmen duke pasur përballë, kundër SHBA-të dhe vlerat e demokracisë në fakt.
Besoj kemi qenë të qartë, ajo që është oferta jonë, se cila është rruga që mund të shkojmë drejt bashkimit. Kërkesa jonë ka qenë e qartë, grupi parlamentar, së bashku me deputetët e pezulluar të mund të diskutojmë për bashkimin. Bashkimi kalon nga një akt i vetëm, një akt simetrik, siç ndodhi me zotin Basha, të ndodhë dhe me zotin Berisha”, deklaroi Alibeaj.