Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvendësi…
James Rubin, diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me përvojë mbi 35 vjeçare në politikën e jashtme, ka dëshmuar në ditën e dytë në Hagë në procesin që zhvillohet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, përfshi edhe Hashim Thaçin, ish-Presidentin e Republikës së Kosovës.
Në dëshminë e tij, Rubin ka marrë në mbrojtje Thaçin, por edhe të akuzuarit e tjerë nga Gjykata Speciale, kur prerazi tha se kjo nuk është drejtësi dhe këtë opinion të tij e shpreh me zë të lartë.
“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.
I pyetur nga gjyqtarët nëse iu kishte besuar fjalëve të Thaçit, i cili në vitin 1999 i kishte thënë se shqiptarët dhe UÇK-ja dëshironin demokraci dhe bashkëjetesë, Rubin ka dhënë përgjigje interesante. Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi.