Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, është arrestuar në Itali, pasi është kapur me 20 kg drogë.
Kajmaku ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare, të paktën zyrtarisht, pasi ai ka bredhur i lirë në Shqipëri dhe askush nuk e ka penguar.
Në vitin 2020, Kajmaku ka rinovuar patentën. Konkretisht me 3.08.2020, kohë që ai ishte në arrati është paraqitur për të firmosur rinovimin e patentës, siç shihet në foton e mëposhtme, siguruar nga CNA.al.
Pra, Kajmaku është paraqitur pranë zyrave të shtetit, dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje për ta arrestuar.
Për më tepër, ai ka mundur të kalojë lehtësisht në drejtim të Italisë, atje ku u kap me 20 kg drogë.
Kujtojmë se në letra prokuroria e akuzon për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.
Akuza e fundit ka të bëjë me një vendim të Kajmakut, të marrë pas shkarkimit nga KQZ.
Kryebashkiaku Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.