Nga Luciano Boci
ARSIM ME ÇMIM NAFTE
Kriza arsimore ka kohë që është këmbëkryq në sistemin tonë.
E shkak për këtë nuk është lufta, por injoranca.
Arsimi tek ne është në pikiatë.
Mësimdhënia ka degraduar në disa formalitete mekanike.
Mësuesi mbetet i keqpaguar dhe i keqtrajtuar në shumë drejtime.
Abuzimet me fëmijët në shkolla, deri seksuale, po shndërrohen në normalitet.
Nxënësit shihen si mall inventari magazinash që thjesht hyjnë e dalin vetëm fizikisht nga shkollat, në shumicën e tyre me kushte mizerabël.
Ajo që po shpërndahet më së shumti në klasa nuk është më dija.
Me të konkurrojnë denjësisht padija dhe droga.
Kësisoj për të mësuar fëmijët e tyre prindërit duhet të paguajnë kurse.
Kurse për çdo lëndë, me çmime të kripura, pavarësisht se për arsimin taksat paguhen rregullisht dhe shteti ka detyrim ligjor që arsimin parauniversitar ta ofrojë falas.
Por për Ramën dija është mall. Sikurse nafta dhe ajo për qeverinë lëviz në çmim sipas parimit kërkesë-ofertë e ndikohet nga krizat e shumëllojta që lidhen me injorancën, paaftësinë, pashpirtësinë, pandeminë, etj.
Kurse për matematikë. Kurse për gjuhë.
Kurse për kimi. Kurse për fizikë. Kurse për çdo gjë.
Kurse deri për klasën e 5-të!!!
A e kuptoni ku ka përfunduar misioni i shkollës sonë?!!!
Rama mund të bëjë dhe një bord për këto çmime madje.
Fotot përballë kancelarive të shkollave në Tiranë, e dëshmojnë qartë situatën tronditëse.
Prindërit e pranojnë me përulje epike këtë skandal, nën dëshirën e formimit sa më të mirë të fëmijëve të tyre.
Slogani që arsimi falas, prej kohësh është një slogan qesharak.
Arsimi tek ne tashmë kushton dhe madje shumë.
E kjo të çon drejpërdrejt në diskriminim arsimor.
Femijët prindët e të cilit nuk mund të paguajnë kurse, janë të destinuar mos shfaqin talentin e tyre e të mos marrin dijen e duhur. Detyrohen t’i dorëzohen që në fëmijëri fatit të mjerimit dhe rrugës.
Ndërsa Ministria e Arsimit, sodit ardhjen e pranverës dhe gëzohet me ngrohjen e motit.
Plotëson “orët e punës” domethënë!