Aleksandër Sadikaj është i riu i cili u vra me tritol para pak ditësh në rrugën e Saukut. I riu ishte duke udhëtuar me makinë kur një sasi tritoli e komanduar me telefon i mori jetën. Gazetarja Klodiana Lala gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar ditën e sotme se Sadikaj ka kërkuar ndihmë, por askush nuk ka mundur t’i afrohej. Më tej ajo është shprehur se një grua me një fëmijë janë lënduar lehtë.
Ndër të paktat ngjarje që personalisht më kanë tronditur. Kam parë ngjarje të rënda për shkak të këtij profesioni. Kam një video të asaj ngjarjeje që është shumë e rëndë, jo vetëm për familjarët, por edhe qytetarët, por që nuk mund të publikohet. Një njeri që përpëlitet për ndihmë në grahmat e fundit të jetës për ndihmë dhe që askush nuk mundte t’i afrohej. Aty ka qenë dëshmitar dhe një nënë me fëmijë, e cila ka mbetur e lënduar lehtë nga kjo ngjarje. E kam lexuar dëshminë e një personi që e ka shoqëruar në spital, prokurori e ka pyetur nëse i ka thënë gjë, ai i kishte thënë se Aleksandri i ka kërkuar vetëm ujë. Personi që e ka shoqëruar është gjetur duke qarë në derën e spitalit.