Lufta në Ukrainë tërheq interesin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve (89%) të cilët informohen të paktën një herë në ditë për zhvillimet më të fundit. Vetëm një në dhjetë shqiptarë (10%) informohet për luftën në Ukrainë të paktën një herë në javë.
Barometri në Euronews i pyeti shqiptarët lidhur me pushtimin rus në Ukrainë të nisur në 24 shkurt të këtij viti. Thuajse të gjithë të anketuarit (91%) mbajnë anën e Ukrainës në këtë konflikt. Vetëm 2% e të anketuarve mbajnë anën e Rusisë dhe më pak se një në dhjetë (6%) shqiptarë nuk mbështet asnjërën palë.
Në mesin e atyre që ruajnë asnjanësinë në këtë konflikt, pjesa më e madhe janë të rinj të moshës 18-24 vjeç.
Më shumë se gjysma (54%) e shqiptarëve mendojnë se NATO duhet të ndërhyjë në luftën në Ukrainë. Dy në pesë shqiptarë (39%) nuk janë dakord me ndërhyrjen e aleancës euroatlantike në konfliktin Ukrainë-Rusi.
Sa i përket sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, pjesa më e madhe e shqiptarëve (63%) janë dakord me to. Vetëm një në dhjetë shqiptarë (12%) nuk janë dakord me sanksionet që vendi ynë vendosi ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Të pavendosur për këtë çështje janë shprehur një në katër shqiptarë (25%). Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe DataCentrum në datat 25 mars deri në 5 prill me 1000 intervista ballë për ballë në familje./Euronews