Kryebashkiaku i Tiranës, njëherësh edhe drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, në fushatë për zgjedhjet e 6 marsit ka bërë thirre për votimin e kandidatit socialist në Vorë, Blerim Shera.
Sipas tij vota për Sherën përkthehet në projekte konkrete, që ndihmojnë në zhvillimin e zonës strategjike mes Durrësit dhe Tiranës.
Ndër të tjera Veliaj ka shenjestruar edhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e shkarkuar të PD-së, Lulzim Basha.
“Pashë Saliun dhe Lulin kur erdhën për fushatë në Vorë. Saliu thoshte: “Më jepni votën, që me votat tuaja të shqyej bravën që nuk e shqeva dot në 8 janar”. Kurse Luli thoshte: ‘Më jepni vota, që me to të blej pak më shumë gaz, që t’i lë këta jashtë kur të vijnë prapë si në 8 janar”. Të dy po u thonë njerëzve: “Na jepni vota që ne të vazhdojmë sherrin. Na jepni vota që ne të vazhdojmë luftën. Na jepni vota që ne të vendosim kush e mban karrigen e partisë! Na jepni vota që të zgjedhim kush do e shqyejë bravën’”, është shprehur Veliaj.
Sipas të njëjtit, Partia Socialiste e do votën për të çuar punët përpara.
“Partia Socialiste thotë: ‘Na jepni vota që të shërbejmë. Na jepni vota që të mbarojmë shkollat! Na jepni vota që të mbarojmë ujësjellësin! Na jepni vota që të përfundojë rikonstruksioni, që të shkojë deri në fund investimi! Na jepni vota që të bëjmë në Vorë atë që kemi bërë në shumë vende të Shqipërisë, të cilat i besuan PS-së si e vetmja forcë që votën e do për punë, jo për sherr! Votën e do për t’i bashkuar njerëzit, jo për t’i përçarë! Votën e do që gjërat të ecin përpara, jo mbrapa.
“Cila është më e rëndësishme: familja jote apo brava e tyre? Shtëpia jote apo llozi i tyre? Mobilimi i klasave të shkollave që po bëjmë, apo karriget e partisë? Nëse përgjigjja është: familja, shtëpia, bangat e fëmijëve të mi janë më të rëndësishme se bravat, llozet e karriget e partisë, atëherë ka vetëm një zgjedhje: Partia Socialiste, Blerim Shera dhe gjithë familja jonë që e do votën për të mbaruar këto punë dhe jo për t’u zënë me lloze, me shula, me gaz”, tha Veliaj në takimin elektoral në Prezë të Vorës.