Home Bota Shifrat dramatike/ 7 – 13 milionë më tepër vdekje në të gjithë...

Shifrat dramatike/ 7 – 13 milionë më tepër vdekje në të gjithë botën gjatë pandemisë

924
0

Vendet e varfra kanë vuajtur shumë, por shumica e vdekjeve ka ndodhur gjetiu, shkruan The Economist.

Sipas shifrave zyrtare, në Afrikën e Jugut ka pasur 55,000 vdekje nga Covid-19 që nga 27 marsi i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se shkalla e vdekshmërisë në vend është 92.7 për 100,000 njerëz, më e larta në Afrikën Nënsahariane. Shifra është gjithashtu një nënvlerësim domethënës, ashtu si të gjitha të dhënat e tjera afrikane mbi sëmundjen.

Gjatë vitit, deri më 8 maj, vendi regjistroi 158,499 vdekje shtesë – pra vdekje mbi numrin që pritej në vitet e kaluara, duke pasur parasysh ndryshimet demografike. Zyrtarët e shëndetit publik mendojnë se 85-95% e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga sars-cov-2, virusi i Covid-19.

Kjo mospërputhje ndodh sepse, në mënyrë që një vdekje të regjistrohet për shkak të Covid-19, i ndjeri duhet të ketë kryer një test Covid-19 dhe duhet të regjistrohet se ka vdekur nga kjo sëmundje. Megjithëse Afrika e Jugut kryen shumë më tepër testime në krahasim me vendet fqinje, niveli i përgjithshëm i testimit është ende i ulët.

Afrika e Jugut nuk është ndonjë rast unik dhe i pazakontë për sa u përket niveleve të testimit, ose vdekjeve të paregjistruara nga sistemi mjekësor. Vdekshmëria shtesë ka tejkaluar vdekjet e raportuara zyrtarisht si pasojë e Covid-19, të paktën në disa periudha gjatë epidemisë, në pjesën më të madhe të botës. Sipas të dhënave më të fundit, vdekjet shtesë në Amerikë ishin 7.1% më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19, midis fillimit të marsit 2020 dhe mesit të prillit 2021.

Shumë vende kanë pasur mospërputhje të tilla. Për shembull, Britania kishte vdekje shtesë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 gjatë valës së parë, por më të ulëta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 në valën e dytë – një efekt që tregon se masat për të ndaluar përhapjen e Covid-19 kanë shpëtuar jetë, të cilat në një vit të zakonshëm do të ishin humbur nga sëmundje të tjera, si gripi sezonal. Një dukuri e ngjashme ndodhi edhe në Francë.

Por metoda e vdekshmërisë shtesë nuk ka mundësuar shifra të dobishme globale, sepse shumica e vendeve, në veçanti shumica e vendeve të varfra, nuk japin statistika të vdekshmërisë shtesë në kohën e duhur. Vlerësimet globale kanë përdorur shifrat zyrtare, pavarësisht se e dinë se këto shifra – aktualisht 3.3 milionë – janë shumë larg realitetit.

Për të kuptuar se sa larg realitetit janë në të vërtetë këto shifra zyrtare, The Economist është përpjekur të përcaktojë nivelin e vdekshmërisë shtesë gjatë rrjedhës së pandemisë në vendet që nuk e raportojnë atë. Studimi arriti në përfundimin se ka një probabilitet prej 95% që numri i të vdekurve deri më sot të jetë midis 7.1 milionë dhe 12.7 milionë, me një vlerësim qendror prej 10.2 milionë. Në rastin më të mirë, shifrat zyrtare përfaqësojnë më pak se gjysmën e numrit real të vdekjeve, dhe në rastin më të keq, vetëm një të katërtën e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here