Një ngjarje e rëndë që ka ndodhur para pak ditësh është zbardhur së fundmi në Kamëz. Mësohet një grua është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëjetuesi i saj dhe më pas ky i fundit e ka hedhur nga kati i tretë i ballkonit. Gruaja ka deklaruar në polici se është rrëzuar aksidentalisht nga ballkoni, por pas hetimeve të policisë është zbuluar se gruaja është dhunuar dhe rrëzuar qëllimisht nga ballkoni nga bashkëjetuesi i saj. Ky i fundit është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet një ngjarje e ndodhur disa ditë më parë, e raportuar si aksidentale. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që dyshohet se ka dhunuar dhe ka hedhur nga ballkoni i banesës, bashkëjetuesen e tij, dhe më pas të dy e kanë raportuar si ngjarje aksidentale. Shërbimet e Policisë, nisur nga dyshimet e krijuara mbi kallëzimin e një shtetasje, për rënien e saj nga ballkoni i banesës, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Si rezultat i punës dhe veprimeve profesionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2022, për të cilën fillimisht, shtetasja V. H. ka kallëzuar se është rrëzuar aksidentalisht, nga kati i tretë i pallatit ku banon.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: D. I., 62 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë. Ky shtetas dyshohet se më datë 11.03.2022, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij dhe më pas e ka hedhur atë nga ballkoni i katit të tretë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.