Home AKTUALITET Afganët në Shqipëri/ Xhaçka: Mund të qëndrojnë më shumë se 1 vit

Afganët në Shqipëri/ Xhaçka: Mund të qëndrojnë më shumë se 1 vit

489
0

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, është shprehur se qëndrimi i afganëve në Shqipëri mund të zgjasë më shumë se 12 muaj.

Në një intervistë për VOA-n, Xhaçka tha se mes strehimit edhe procesimit të dokumentave të afganëve do të ketë një kohë të konsiderueshme, pasi afganët e strehuar në Shqipëri janë në numër shumë të paktë, krahasur me vendet e tjera.

“Është një proces që mund të kërkojë deri në 12 muaj, por ndoshta edhe më shumë. Ç’ka do të thotë që mes strehimit edhe procesimit të dokumentave të tyre do të ketë një kohë të konsiderueshme, duke patur parasysh që ata qytetarë afganë që ne kemi strehuar sot në Shqipëri janë shumë pak krahasuar me më shumë se 120 mijë të evakuar nga Shtetet e Bashkuara në vende të tjera, në baza ushtarake të cilat po procesojnë njëkohësisht për të marrë viza drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Do të thotë që është le të themi një ushtrim konsullor i përmasave të jashtëzakonshme që do të marrë kohën e vet. Ndaj kam përshtypjen që 12 muaj do të jenë minimumi i këtij procesi, për të mos thënë që do të zgjasë edhe më shumë se aq.

Patjetër që ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm si me partnerët ashtu edhe me të gjitha organizatat ndërkombëtare me të cilat po bashkëpunojmë, si për trajtimin e këtyre partnerëve, e këtyre grupeve që sot strehojmë në Shqipëri, si për një strategji më afatgjatë për të plotësuar të gjitha nevojat gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Bëhet fjalë për organizata shumë prestigjioze si National Endowment for Democracy, National Democratic Institute, Schmidt Futures, Yalda Hakim Foundation, International Republican Institute, Open Society Foundation dhe shumë të tjera me të cilat ne jemi duke bashkëpunuar”, tha ministrja Xhaçka.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga talebanët. Autoritetet shqiptare u shprehën të gatshëm të strehonin deri në 4 mijë persona.

Aktualisht, deri më tani, janë 662 afganë të mbërritur në Shqipëri. Ata janë dërguar kryesisht në struktura hoteliere, ku do të qëndrojnë në pritje të përfundimit të procedurave për transferimin në Shtetet e Bashkuara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here