Home POLITIKE Dyshohet si informatori i vrasësit, një anglez në hetim për vrasjen e...

Dyshohet si informatori i vrasësit, një anglez në hetim për vrasjen e Ardian Nikulajt

179
0

Një shtetas anglez dyshohet se ka ndihmuar në vrasjen e Ardian Nikulajt në lokalin e tij “Coral” në Shëngjin tre ditë më parë. Raportohet se shtetasi anglez ka qenë i ulur në lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe menjëherë pas të shtënave është larguar nga vendi.

Nga verifikimet e sistemit TIMS, raportohet se ky shtetas ka ardhur në Shqipëri më 14 prill dhe është larguar nga vendi ditën e ngjarjes, më 19 prill, vetëm 4 orë pasi Nikulaj mbeti i vrarë pas atentatit të kryer nga një vrasës i maskuar si profesionist.

Gjatë 5 ditëve që ka qëndruar në Shqipëri, anglezi ka pushuar në një hotel në vijën e parë të plazhit, 1 kilometër larg lokalit të viktimës. Dyshimet e para janë që ky shtetas të ketë pasur rolin e informatorit në këtë ngjarje, në mënyrë që vrasësi të vepronte saktë dhe shpejt, duke eliminuar edhe gabime të mundshme.

Prej faktit se shtetasi anglez, identiteti i të cilit mbetet ende i panjohur, është larguar me shpejtësi drejt Britanisë së Madhe, hetuesit nuk kanë mundur ta ndalojnë për ta pyetur, por po analizojnë me kujdes kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse është parë duke lëvizur edhe ditë të tjera para ngjarjes pranë kompleksit “Coral”.

Deri më tani janë pyetur punonjësit e hotelit ku ai qëndronte, si dhe taksisti, që e dërgoi drejt Rinasit, por deri më tani nuk ka asnjë provë që vërteton saktësisht dyshimet e policisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here