Home Kryesore Granit dhe Anisa Pepnika namin në vjedhjen me call center

Granit dhe Anisa Pepnika namin në vjedhjen me call center

33
0
Granit dhe Anisa Pepnika
Granit dhe Anisa Pepnika

Anisa Kunxhiu Pepnika është truri i call center-ave mashtrues që vjedhin miliona euro nga qytetarë të Bashkimit Europian përmes platformave të rreme të investimeve online, ndërsa Granit Pepnika kontrollon aktivitetet e basteve të jashtëligjshme dhe është përgjegjës për pastrimin dhe investimin e fitimeve të siguruara nga kjo skemë. Të dy së bashku përbëjnë një strukturë të plotë kriminale, ku mashtrimet dixhitale kthehen në kompani fasadë, pasuri luksi dhe rrjedhë të qëndrueshme kapitali në Shqipëri.

Truri dhe krahu ekzekutiv i rrjetit: Anisa Kunxhiu (Pepnika)

Anisa Kunxhiu Pepnika është truri i skemave të vjedhjes me call center. Ajo nuk ka precedent penal të regjistruar, por sipas burimeve operative dhe dokumenteve të siguruara nga Pamfleti, ka krijuar dhe menaxhon strukturën që koordinon call center-at mashtrues që targetojnë qytetarë të Bashkimit Europian me platforma të rreme investimi në forex dhe kriptovaluta. Përmes saj menaxhohet rekrutimi i stafit, rrjedha e fondeve, fshirja e gjurmëve dhe futja e tyre në kompani shqiptare në pronësi të saj ose të bashkëshortit. Kunxhiu Pepnika është gjithashtu personi që ka ngritur linjën e salloneve dhe markave luksoze që përdoren për të krijuar fasadën e suksesit dhe për të legalizuar shpenzimet e pashpjeguara.

Granit Pepnika është krahu ekzekutiv i pastrimit të fitimeve të vjedhura nga veprimtaria kriminale. Ai ka precedent penal të formës së prerë dhe është i dënuar për veprën penale “Vjedhje” sipas nenit 134/1 të Kodit Penal. Është shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 2866 datë 30.10.2017 për hyrje me forcë në banesa të banuara dhe vjedhje sendesh me vlerë të konsiderueshme. Vendimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 2400 datë 14.11.2018, ndërsa më 2 prill 2024 Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tij, duke e bërë dënimin përfundimtar. Ky precedent e vendos Pepnikën në kategorinë e personave me rrezikshmëri të lartë kriminale.

Granit dhe Anisa Pepnika: ‘Bonnie & Clyde’ shqiptarë

Granit Pepnika ka ngritur rrjetin e kompanive fasadë që përdoren për të injektuar fondet e përfituara nga aktivitetet mashtruese dhe për t’i legalizuar përmes investimeve në prona miliona euro, automjete dhe sallone luksi. 

Sipas informacioneve që disponon Pamfleti, 28 vjecari Kuksian është kthyer në një ‘xhevahir të cmuar’ të disa shefave policie dhe të Krimit Ekonomik. 

Rrjeti i kompanive të pastrimit te parave

Struktura e tyre është ndërtuar mbi një rrjet kompakt kompanish të regjistruara në QKB me kapital minimal dhe pa asnjë aktivitet të dokumentuar.

Drita Energji shpk është themeluar më 20 shkurt 2023 me administrator Granit Pepnikën dhe ortakë Pepnikën dhe Anisa Kunxhiu Pepnikën me nga 50 përqind. Selia ndodhet në Rrugën Muhamet Gjollesha në Tiranë dhe objekti zyrtar është prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, por kompania nuk ka asnjë licencë në ERE dhe asnjë bilanc financiar të dorëzuar.

A&G Invest shpk është themeluar më 26 qershor 2023 me administrator Anisa Kunxhiu Pepnikën dhe ortakë Kunxhiu Pepnikën dhe Pepnikën me nga 50 për qind. Selia është po në Rrugën Muhamet Gjollesha dhe objekti i saj përfshin ndërtim, tregti pasurish të paluajtshme, konsulencë dhe tregti automjetesh. Edhe kjo kompani nuk ka asnjë pasqyrë financiare në sistem.

GAMA Media Communication shpk është themeluar më 13 korrik 2021 me administrator Granit Pepnikën dhe ortakë Pepnikën dhe Jurgen Melën me nga 50 për qind. Selia është në Rrugën Abdi Toptani, Torre Drin, Tiranë, me objekt marketing, telemarketing dhe shërbime IT, por pa asnjë aktivitet të deklaruar dhe pa bilance.

ARHANA shpk është themeluar më 22 shtator 2022 me administrator Anisa Kunxhiu Pepnikën dhe ortakë Kunxhiu Pepnikën dhe Enxhi Maçastena me nga 50 për qind. Selia ndodhet në Rrugën Bila Sina dhe objekti është tregtia e produkteve kozmetike. ARHANA është përdorur si mbulesë për sallonet luksoze të Anisa Kunxhiu Pepnikës që operojnë në Tiranë pa asnjë deklarim të ardhurash.

Në të njëjtën linjë janë edhe njësi jo të regjistruara si subjekte të veçanta, por që përbëjnë pjesë të rrjetit të saj publik, përfshirë sallonin IBC Nails dhe markën Louve Club, që funksionojnë në segmentin premium të tregut të bukurisë dhe lifestyle, bazuar thuajse tërësisht në pagesa cash dhe pa asnjë transparencë fiskale.

Granit dhe Anisa Pepnika: ‘Bonnie & Clyde’ shqiptarë

Salloni luksoz IBC Nails

AAA Taxi shpk, e themeluar më 5 shkurt 2024 me administrator Anisa Kunxhiu Pepnikën dhe ortakë Anisa Kunxhiu, Andi Kozmai dhe Aldi Jaçaj me nga 33.3 për qind, ka selinë në Rrugën Prokop Mima në Tiranë dhe operon me një flotë të vogël automjetesh që sipas burimeve përdoret për të lëvizur cash dhe për të justifikuar flukset monetare jashtë sistemit bankar.

Asnjëra prej këtyre kompanive nuk ka dorëzuar pasqyra financiare në QKB, pavarësisht detyrimit ligjor, dhe asnjëra nuk ka aktivitet të verifikueshëm në treg. Ndërkohë sipas burimeve të Pamfletit, përmes tyre janë kryer blerje pasurish të paluajtshme dhe investime kapitale në periferi dhe qendër të Tiranës, çka tregon funksionin e tyre si kanale pastrimi për kapitalin e përfituar nga mashtrimet me call center.

Skema ndjek tre faza të njohura të pastrimit të parave. Në fazën e parë, viktimat europiane joshen nga call center-a të lidhur me rrjetin e tyre për të investuar në platforma të rreme forex dhe crypto. Paratë futen në Shqipëri përmes tregtarëve informalë të kriptomonedhave dhe nuk regjistrohen në sistem.

Në fazën e dytë, këto fonde injektohen në kompanitë e tyre si kapital i ortakëve ose si të ardhura nga shërbime të deklaruara fiktivisht. Në fazën e tretë, fondet përdoren për blerjen e pasurive, automjeteve dhe financimin e salloneve luksoze, duke u shfaqur në letër si të ardhura të ligjshme.

Sipas burimeve të përfshira në verifikimet e Pamfletit, kjo strukturë funksionon nën mbrojtjen e një rrjeti të gjerë zyrtarësh të korruptuar, përfshirë shefa komisariatesh, drejtues vendorë, zyrtarë të kadastrës dhe individë në sistemin e drejtësisë, të cilët kanë penguar çdo hetim penal ndaj aktivitetit të çiftit (Vijon)

Kjo mbrojtje ka bërë të mundur që Bonnie & Clyde shqiptarë, vetëm 28 vjeç, të ndërtojnë një mekanizëm pastrimi parash me përmasa të jashtëzakonshme, me implikimin e personazheve të botës së krimit dhe Policisë.

Në thelb, ky është modeli i ri i krimit në Shqipëri. Nuk ka më armë dhe maska, por fatura, ekstrakte noteriale dhe kompani fantazmë. Ndryshe nga Bonnie & Clyde e dikurshëm që u ndalën nga ligji, Bonnie & Clyde shqiptarë mbrohen prej tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here