Pas denoncimeve të vazhdueshme nga JOQ ALBANIA për platformat online “TXEX” dhe “XUEX” (njohur ndryshe si XEUX), pak ditë më parë, Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë goditur këto skema piramidale online, duke finalizuar operacionin me arrestimin e 6 personave dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve.
Platformat prezantoheshin si aplikacione investimi në kriptovaluta, dhe ishin bërë virale në rrjetet sociale, kryesisht në Telegram. Sipas burimeve zyrtare, më shumë se 6,000 qytetarë dyshohet se kanë rënë pre e kësaj skeme, duke investuar shuma të konsiderueshme parash. Reklamat për këto platforma ishin përhapur hapur edhe në ambiente publike, konkretisht në bar-restorantin “La Bonta” në hyrje të qytetit të Lushnjës, në rrugën “Shëtitorja e Palmave”, në pronësi të Arbër Çelës, i arrestuar si pjesë e kësaj skeme.
Në njërën reklame ishte shkruar “EG Group Investment XUEX ” Investim një here = Përfitime të Përjetshme“.
Po ashtu edhe tek reklama tjetër shkruhej “EG Group Investment XUEX “Projekt investimi afatgjatë, Punë ekipore, Sinjale tregtare, Shumë shpërblime“.
Hetimet u intensifikuan pas infiltrimit të agjentëve të policisë, të cilët u paraqitën në lokal më 27 gusht 2025. Ata morën kontakt me kamerierin Emanuel Taullau, 21 vjeç, i cili, pa e ditur se kishte përballë oficerë, u shpjegoi me detaje se si funksiononte platforma dhe se si mund të bëheshin pjesë e saj. Ai u tha se depozita minimale ishte 1,000 dollarë, dhe u ofroi t’i ndihmonte vetë për t’u regjistruar. Taullau përmendi edhe një “profesor”, të cilin e përshkroi si organizatorin kryesor të platformës, person që ka rezultuar të jetë Arbër Çela, pronar i lokalit.
Një ditë më pas, më 28 gusht, agjentët janë rikthyer në lokal, ku Taullau u ka prezantuar edhe një tjetër punonjës, Flavio Mukaj, 23 vjeç, i cili kishte rolin për të futur investitorët në grupet përkatëse në Telegram dhe për t’i udhëzuar për hapjen e llogarive në Binance. Më pas, agjentët janë ndihmuar në transferimin e fondeve në platformën XUEX.
E gjithë procedura, përfshirë regjistrimet audio dhe video janë dokumentuar nga agjentët. Transaksioni i 1000 dollarëve është kryer në mënyrë simuluese, ku 100 dollarë janë marrë nga llogaria e Mukajt, dhe më pas Taullau i ka transferuar paratë në platformën mashtruese në emër të agjentit të infiltruar.
Taullau 21 vjeç dhe Mukaj 23 vjeç, të dy kanë rënë në prangat e policisë. Gjatë operacionit, policia sekuestroi 50 celularë, 11 kompjuterë, hard-disqe, DVR, një makinë dhe shuma të konsiderueshme parash. Hetuesit zbuluan bazën e grupit, në këtë lokal në zonën e Lushnjës në pronësi të Arbër Çelës, ndërsa pista e mashtrimit të investimeve të rreme kishte prekur qindra persona.
Sipas të dhënave nga Bashkia Divjakë, në këtë platformë janë regjistruar rreth 580 persona, të cilët kanë investuar nga 1,000 deri në 5,000 dollarë. Midis tyre ka edhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë humbur shuma të mëdha parash.