Një avion privat me katër pasagjerë është zhdukur në mënyrë të mistershme ditën e sotme në Kroaci. Sipas mediave lokale avioni që u ngrit nga Spliti në rrugën e tij për në Gjermani është shpallur i zhdukur pasi ka humbur nga radarët. Shërbimet Kroate të Navigacionit Ajror informuan Qendrën Operative të Mbrojtjes Civile për avionin e humbur të tipit Cessna në veri të Rakovicës, i cili po nisej nga Spliti dhe po shkonte në veri drejt Gjermanisë.
Në terren ndodhen rreth 100 forca të policisë që po kontrollojnë terrenin por reshjet e dendura të shiut dhe mjegulla ua vështirësojnë punën. Ndërkohë mësohet se në Cessna ka pasur tre gjermanë dhe një kroat, pra një pilot dhe tre pasagjerë dhe destinacioni përfundimtar ka qenë qyteti gjerman Laichigen afër Ulmit.