Në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar në klasë të parë vetëm 20235 fëmijë, rreth 10 mijë fëmijë më pak se në vitin e shkuar shkollor. Mësuesit rrezikojnë vendin e punës në institucionet arsimore për shkak të rënies së numrit të regjistrimeve.
”10 mijë fëmijë më pak do të thotë 350 klasa të para më pak, pra 350 mësues më pak të arsimit fillor. Ne para 5 viteve kemi pasur nga 6 klasa paralele, sot kemi 4. Ky problem ndihet e do të vazhdojë të ndihet edhe më shumë. Në Sauk, në shkollën ’28 Nëntori’, në shkollën time ku punoj ‘Marie Logoreci’ ka një klasë më pak”, tha Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Arsimit në Tiranë.
Në 20 vitet e fundit sipas të dhënave të INSTAT popullata e fëmijëve të ciklit 9 vjeçar ka pësuar rënie me 48%. Numri i ulët i regjistrimeve vihet re edhe në klasë të dhjetë, ku janë regjistruar 17 145 nxënës, 1.2% më pak se vitin e kaluar.