Pas skemave piramidale me kriptomonedha që mashtruan mijëra shqiptarë, një formë e re mashtrimi po përhapet me shpejtësi online. Bëhet fjalë për një lojë të quajtur “Rruga e pulës”, e cila po qarkullon kryesisht në TikTok dhe Telegram.
Qytetarët ftohen të marrin pjesë në lojë me premtimin se do të fitojnë para. Më pas, atyre u kërkohen të dhënat bankare me justifikimin se fitimet do t’u transferohen në llogari. Në fakt, ky është mekanizmi i skemës për të vjedhur të dhënat financiare dhe për t’i përdorur ato në mënyrë abuzive.
“Është skema e radhës për të cilën parashikojmë se do të flasim si forma e re e mashtrimit online,” paralajmërojnë ekspertët e sigurisë kibernetike. Ata theksojnë se ndryshe nga mashtrimet e mëparshme me kriptovaluta, një fushë që për shumë qytetarë mbetet e vështirë për t’u kuptuar, kjo skemë është edhe më e rrezikshme pasi lidhet me lojërat online, një sektor tërheqës dhe i thjeshtë për t’u përqafuar nga masa e gjerë.
Sipas ekspertëve, rreziku shtohet nga fakti që skema përdor edhe figura shqiptare për të krijuar besueshmëri, duke shtyrë edhe më shumë përdorues të bien pre e mashtrimit.
“Mashtrimi ka marrë forma të ndryshme ndër vite, por mekanizmi mbetet i njëjtë: joshja për të fituar shpejt e lehtë. Prandaj, i bëjmë thirrje kujtdo si dhe autoriteteve përgjegjëse të marrin masa para se të jetë vonë,” apelojnë ekspertët.
Ata paralajmërojnë qytetarët të mos shpërndajnë të dhënat bankare online dhe të jenë vigjilentë ndaj çdo oferte të dyshimtë që premton fitime të shpejta.
Ekzekutohet me armë në Kanada shqiptari nga Shkodra, Harusha la pas 2 fëmijë