Të përdorura masivisht, kryesisht nga të rinjtë, kjo për të shmangur trafikun e Tiranës, por edhe për të kursyer karburant, monopatinat janë të kthyer në një rrezik për qytetarët dhe automjetet.
Shqetësimi është ngritur nga vetë policia rrugore, e cila shprehet se përdorimi masiv i mjeteve elektrike, ku modelet e reja ecin me shpejtësi mbi 50 km/orë janë kthyer në burim serioz aksidentesh.
Kemi hasur shpesh herë që ata nuk respektojnë sinjalizimin vertikal, apo horizontal. Nuk respektojnë semaforin. Futen vend e pa vend duke u bërë realisht një rrezik permanent për përdoruesit e rrugës. Për ne ata janë një burim ngjarjesh rrugore, një rrezikshmëri e lartë e shtuar për kryeqytetin dhe jo vetëm.
Kodi Rrugor nuk e parashikon ndëshkimin e shkeljeve që vijnë nga këto mjete, e për pasojë për policinë rrugore nuk ka bazë ligjore për të vendosur sanksione administrative apo penale.
Nga ana jonë akoma nuk është klasifikuar se në çfarë kategorie do të futen këto mjete. A do të klasifikohen mjete çikliste apo mjete motorike? Kjo na penalizon edhe në mjetën e sanksionimit të kësaj kategorie.
Zgjidhja e propozuar nga blutë është që këto mjete të largohen nga qarkullimi, ashtu siç ka vepruar edhe Britania e Madhe, shembull i cili pritet të ndiqet edhe nga shtete të tjera.
Duhet të operohet siç është operuar në Britaninë e Madhe, apo siç po studiohet edhe në Itali për eliminimin e përdorimit në rrugë të këtyre mjeteve. Ata nuk kanë dalë si qëllim për tu përdorur në rrugë, por që të përdoren në ambiente të mbyllura dhe private, siç mund të jenë hipermarketet, supermarketet, apo ndërmarrjet të cilat operojnë në një distancë jo të shkurtër brenda ambienteve të tyre.
Deri më tani, policia rrugore shprehet se është shënuar vetëm një aksident me monopatinat, ku rastet e tjera kanë qenë vetëm me dëme materiale, por përhapja e tyre masive e rrit rrezikun për ngjarje të tjera.