Opozita dhe pozita janë përfshirë në debate gjatë seancës së dytë në Parlament, ku janë shtruar për diskutim ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Gjithçka ka të bëjë me komisionet parlamentare, ku mazhoranca ka propozuar 11 të tilla, 7 prej të cilave do të drejtohen nga deputetë të PS-së dhe 4 nga ligjvënës të PD dhe aleatëve të saj.
Debati është përqëndruar kryesisht në shkrirjen e Komisionit të Integrimit, që është bashkuar në një të vetëm me Komisionin e Politikës së Jashtme. Në legjislaturën e kaluar të dy komisionet funksionin si të veçantë, ku Integrimi drejtohej nga opozita. Ndërkohë me ndryshimet e reja, ky komision do të drejtohet nga ish-ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Pa praninë e Edi Ramës, i cili ndodhet në Bruksel për hapjen e 4 kapitujve në negociatat me BE-në, socialistët janë shprehur të vendosur për të zyrtarizuar ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Por duket se Rama ka diktuar qëndrimin politik mes 83 deputetëve socialistë për të vendosur rregullat e reja në funksionimin e Kuvendit.
Opozita ka paralajmëruar se do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shpreson që ajo të rrëzojë vendimin e Kuvendit, ashtu sikundër ndodhi në muajt e fundit të legjislaturës së kaluar.
Pak përpara votimit, deputetët e opozitës janë larguar nga salla e seancave plenare, duke zgjedhur të mos marrin pjesë në votim. Pro ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit kanë votuar 79 deputetë, nga 83 që ka në total PS.
Opozita
Për opozitën mënyra se si mazhoranca ka konceptuar komisionet parlamentare është si të gjesh punë për individë që mbetën jashtë qeverisë.
Gazment Bardhi, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, tha se janë shpikur komisione parlamentare për t’I gjetur punë deputetëve si Fatmir Xhafaj. Sipas tij, e gjithë procedura e ndjekur bie ndesh me Rregulloren dhe me Kushtetutën.
“E keni nisur me shkelje të rregullores. Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh. S’kemi ku të çojmë Fatmir Xhafën dhe hajde miratojmë një komision të posaçëm që do të bëhet superkomisioni që do të mbikqyri gjithë legjislacionin në fuqi”, tha Bardhi.