Prestigjiozja The Guardian ka publikuar një investigim të kryer në lidhje me rrjedhjen e të dhënave të 30 mijë klientëve në një nga bankat private më të njohura në Zvicër “Credit Suisse”.
Vihet re se në hartën e publikuar, me rreth të kuq është shenjuar edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia çka nënkupton se mund të jenë të implikuar edhe politikanë shqiptarë, të korruptuar dhe kriminelë që fshehin të ardhurat në bankën zviceriane “Credit Suisse”. Por The Guardian nuk ka publikuar ende emra apo të dhëna konkrete për politikanë shqiptarë të përfshirë në këtë skandal.
E konsideruar si një nga rrjedhjet më masive nga një prej bankave private më të mëdha në botë, “Credit Suisse”, ka ekspozuar pasurinë e fshehur të klientëve të përfshirë në tortura, trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe krime të tjera të rënda. Në rrjedhjen masive të të dhënave bankare janë zbuluar pronarë të fshehtë të 80 miliardë paund të mbajtur në bankën zvicerane.
Detajet e llogarive të lidhura me 30,000 klientë të “Credit Suisse” në të gjithë botën gjenden në rrjedhjen, e cila demaskon përfituesit e më shumë se 100 miliardë frangave zvicerane (ose 80 miliardë £) të mbajtura në një nga institucionet financiare më të njohura të Zvicrës. Rrjedhja tregon për dështime të gjera të kujdesit të duhur nga “Credit Suisse”, pavarësisht nga premtimet e përsëritura gjatë dekadave për të hequr klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.