Serxho Luani është student në vitin e 3-të në gjimnazin Jordan Misja në Shkodër.
2 vitet e fundit të shkollës, 17-vjecari i ka zhvilluar online dhe sapo është rikthyer në shkollë.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale sërish mësimi online ka lënë mangësi për shumicën e nxënësve.“Në fakt ka qenë e shumë e vështirë por me anë të mësuesve jemi munduar që të bëjmë mësimin online tek akademia dhe në zoom, por dhe i kemi ndërthurur në vitin e dytë ndërsa viti i parë që në mars ka qenë i gjithi online. Jemi munduar me mësuesit duke shpjeguar gjithashtu dhe me videot e marra nga youtube por edhe vetë, ngaqë ishte e pamundur të shkoje në shkollë. Ata që janë në rrethina në vende të thella nuk kanë pasur mundësi me raste që të hyjnë online, por mësuesja është munduar ta ndihmojë në privat”, tha Serxho Luani.
Edhe Nikola dhe Ledioni janë rikthyer në bankat e shkollës për mësimet plotësuese. Për ta problem më i madh janë mangësitë në lëndët ekzakte.
“Në fakt më të vështira janë lëndët ekzakte, lëndët shkencore për shkak se kanë gjërat e veta dhe ndoshta kishte qenë më mirë të bëheshin në klasë por me ndihmën e mësuesve edhe ato gjërat e vogla kemi arritur me ja dal”, u shpreh Nikola Gruda.
“Të them të drejtën ka pasur shumë boshllëqe pasi disa lëndë kanë qenë shumë të vështira të mësoheshin online dhe duhet të ishin bërë në klasë”. tha Ledion Banishta.
Drita Gushta është mësuese letërsie prej 20 vitesh në këtë gjimnaz .
Si mësuese me përvojë, ajo tregon se mësimi online nuk e zëvendëson kurrë prezencën në klasë.
“Si çdo gjë tjetër që solli pandemia, edhe mësimi onlinë pati vështirësitë e veta por duke llogaritur faktin që ishte e domosdoshme kjo më mirë që mësimi u zhvillua online sesa fare. Unë e dëshiroj shumë mësimin në klasë por gjithçka do të varet prej kushteve që kemi përpara”, u shpreh Drita Gushta.
Prej marsit të viti 2020 kur nisi pandemia COVID-19, mësimi për nxënësit është kryer online. Mësimi në shkolla nis më 27 shtator, ndërkohë që vijon thirrja e autoriteteve për vaksinim të detyruar, sidomos për mësuesit.