Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, njoftoi ditën e sotme se protesta e madhe kundër qeverisë Rama do të zhvillohet më 13 shtator, ora 18:00.
“Protesta do të mbahet te inceneratori i Tiranës, “kryevepra” e korrupsionit të Qeverisë. Ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen“, tha Meta ditën e sotme në një dalje për mediat.
Meta u pyet nga gazetarët nëse kjo protestë e parë është e organizuar ne bashkëpunim me PD-në. Kreu i Partisë së Lirisë tha se është i ftuar të marrë pjesë kushdo, por në radhë të parë qytetarët që vidhen.
“Ne i konsiderojmë këto protesta në radhë të parë si protesta të qytetarëve. Këtë rast kemi marrë ne iniciativën, se jemi marrë gjatë me çështjen e inceneratorëve. Të gjithë janë të mirëpritur në radhe të parë qytetarët se janë taksat e tyre që vidhen”, deklaroi ai.