Nga DANIEL MUCAKU
Protesta e sotme tregoi me të vërtetë se në çfarë derexheje ka përfunduar PD. Sali Berisha premtoi se 3 marsi do te ishte një ditë që nuk do të harrohej lehtë nga Edi Rama, dhe se Tirana nuk do të ishte ajo e një dite më parë.
Premtimet e tij na kujtojnë Lulzim Bashën, ish djalin e tij politik. Edhe ai dilte dhe premtonte se do e rrëzonte Ramën dhe në fund të protestës vetëshpallej kryeministër.
Tashmë çdo gjë duhet e qartë.
Gjykata e apelit mesa duket është në krah të Enkelejd Alibeajt, këta të fundit nesër do të regjistrohen në KQZ për zgjedhjet e 14 majit. Apeli vendosi që ta rrëzojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, që i dha të drejtë Sali Berishës të marrë drejtimin e Partisë Demokatike (PD), si dhe vendosi që çështja të kthehet në rigjykim.
Berisha humbi. Është e vërtetë që ai i zgjoi demokratët nga tradhtia që Basha I bëri PD, mirëpo në fund ai i zhgënjeu përsëri.
Nëse mbani mend kur u rikthye Berisha si lider tregonte në mbledhjet me demokratët se Edi Rama nuk rrëzohet përveçse me protesta të forta e të qëndrueshme. Mirëpo populli opozitar i sfilitur nga varfëria, papunësia u lodh duke ndjekur nga mbrapa Berishën si dukur Lulzim Bashën.
Tani ata duken të dy njësoj. Të dy dështuan, të dy nuk e rrëzuan dot Ramën, dhe po të dy zhgënjyen demokratët.
Tashmë Berisha është i detyruar të bashkohet me partinë e Ilir Metës, “Partia e Lirisë” ose do të hap një parti tjetër të re. Koha nuk premton. Ndryshe beteja me Ramën nuk do të fitohet më kurrë.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama është goditur nga disa afera korruptive, çështja e inceneratorëve, çështja Mc Gonigal, dhe goditjet e fshehta brenda partisë.
Mirëpo nga sot, protesta e 3 marsit, kryeministri Rama është i qetë, duke menduar se edhe ky mandat do të fitohet pa sforco.
Situata politike tanimë do të jetë e nxehtë, por demokratët mbetën përsëri të ndarë dhe të copëtuar.
Fishekun e fundit Berisha-Meta e harxhuan sot në protestën e 3 marsit, nga ku morën edhe përgjigjen: “Populli nuk ju beson më”.
Pra, nuk mbetet gjë tjetër veçse nga revolta e zemërimit opozitar, të lind një lider i cili të udhëheq drejt fitores dhe rrëzimin e Ramës, përndryshe me Alibeajn si kryetar dhe dyshen e vjetërsuar opozitare, Edi Rama i ka sigurt dhe 2 mandate…