Home AKTUALITET A është e rrezikuar Shqipëria nga agresioni rus?/ Flet Niko Peleshi

A është e rrezikuar Shqipëria nga agresioni rus?/ Flet Niko Peleshi

1419
0

“Nëse para datës 24, flisnim për disa skenarë, ky që po ndodh është më i keqi i mundshëm”, kështu u shpreh ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, teksa foli për konfliktin Rusi-Ukrainë.

Më tej, ai tha në një intervistë për A2CNN se NATO është forca më e madhe ushtarake në botë, por e rëndësishme është që situata të mos shkojë deri te përplasja ushtarake.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një forcë të papërballueshme ruse ushtarake.

NATO-ja është forcë ushtarake e papërballueshme. NATO-ja është aleanca ushtarake më e fuqishme në botë dhe shumë larg të gjitha forcave të tjera, por çështja është të mos shkojmë drejt konfrontimit. Këtu hyjnë më pas konventat ndërkombëtare dhe rendi i vendosur sot në botë, ku nuk është ai i më të fortit, por i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive. Putin i ka hedhur poshtë të gjitha konventat, kartat dhe ligjet ndërkombëtare”, tha Peleshi.

Por sa e rrezikuar është Shqipëria nga një konflikt i gjerë i mundshëm, sipas ministrit të Mbrojtjes?

“Përveç problemeve që kemi pasur në këto 30 vite, një gjë të mirë politika ia ka bërë një gjë të mirë këtij vendi. Anëtarësimin në NATO. Kjo do të thotë se kjo tokë është e paprekur në asnjë centimetër katror të saj. Një centimetër katror i prekur i Shqipërisë është një centimetër katror i prekur i NATO-s dhe në bazë të artikullit 5 të traktatit, NATO-ja vepron për mbrojtje kolektive sikur të ishte cenuar edhe vendi më i madh, më kryesor i kësaj aleance. Megjithatë, duhet thënë se ne jemi në një rajon delikat, në Ballkanin Perëndimor që përbëhet nga 6 shtete, të cilat janë në mesin e integrimit të tyre euroatlantik.

Sa i përket stabilitetit politik, Ballkani Perëndimor është i cenueshëm. Kjo situatë mund të kalojë në destabilitet politik në këto vende. Shqipëria ka stabilitet ushtarak për shkak të Aleancës dhe të gjithë kontributit tonë në të. Këtu nuk ka asnjë parti politike apo organizatë joqeveritare që të jetë kundër orientimit perëndimor, por jemi pjesë e pandashme e Ballkanit Perëndimor.

Duhet të ruhemi nga llogaritë e gabuara dhe nga provokimet. Nuk është ky skenari më i mundshëm, por ne duhet të shpresojmë për skenarin më të mirë dhe të përgatitemi për skenarin më të keq. Duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm, sidomos në Kosovë, edhe ne në mbështetje të tyre, për të mos rënë pre e provokimeve. Po ashtu nuk duhet të biem pre edhe nga sulmet kibernetike. Për këtë arsye, ne në sistemet tona ushtarake, kemi rritur nivelin e mbrojtjes dhe vigjilencës kibernetike këto ditë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here