Prej 18 vitesh ajo është e martuar dhe ka tre fëmijë. Ajo u rrah nga kryefamiljari dhe kur një i afërm denoncoi, ajo pranoi të flasë e frikësuar dhe duke thënë mbyturazi se kishte frikë. Por në fund, tek gruaja me inicialet E.H ka mbizotëruar dashuria për të shoqin dhe duke pranuar se ishte dhunuar, ajo pranoi të kallëzojë me kushtin që mos ta arrestonin burrin, por me lutjen që t’i jepnin një urdhër mbrojtjeje. Por rrëfimi i saj para policisë numër pesë sipas burimeve të Gazetasi.al ishte alarmant ndaj dhe oficerët vrapuan në shtëpinë e çiftit me pranga në duar. Gjithë dhuna e ushtruar ndaj gruas nga Kamza ishte ushtruar për hatër të një lope dhe se përse nëna e tre fëmijëve nuk ishte e gatshme të ndihmonte të vjehërrën. Gruaja që atë ditë ishte pushim dëshiroi të flerë pak më shumë gjumë në mëngjes. Por jo, i shoqi i ka kërkuar që ajo të dalë nga shtëpia dhe të mjelë lopën.
“Pashë që vjehrra u ngrit më shpejt dhe po merrej me mjeljen e lopës. Pasi bashkëshorti pa që e ëma po milte lopën më akuzoi se unë nuk e ndihmoja asnjëherë vjehrrën dhe se asnjëherë nuk e kisha mjelë lopën. “Ti je mësuar keq” më tha im shoq”, rrëfen sipas burimeve policore gruaja e dhunuar.
Në sherr e sipër gruaja ka kujtuar punën e rëndë që bën në një fabrikë dhe punët e shtëpisë që e prisnin gjatë ditës. Madje ka akuzuar familjarët duke thënë “ju e keni zakon ta mbyllni gruan në shtëpi, nuk e lejoni atë që qoftë të flejë pak më gjatë në ditë pushimi”.