Një shqiptari në Angli i është thyer dhëmbi nga një prej personave, i cili e detyroi të punonte në ‘shtëpi bari’. Mateo Dedej, 30 vjeç, u kap në flagrancë në Londër më 22 qershor 2020, duke i shitur kanabis një blerësi. Ai kishte 16 qese me kanabis në makinë dhe dy gati për t’ia dorëzuar klientit të tij. Policia i gjeti edhe para në xhep.
Por në maj të këtij viti ai u kap në një fermë kanabisi në Banbury. Në momentin kur ai u arrestua policia zbuloi një dhomë të mbushur me bimë dhe të pajisur me një strukturë të stilit profesional për rritjen e drogës së klasit B.
Në seancën gjyqësore të së premtes Dedej u deklarua fajtor për posedim dhe furnizim me kanabis, posedim kokaine dhe prodhim kanabisi. Ai nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm. Avokati i tij mbrojtës tha se shqiptari e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij duke jetuar në Itali para se të shkonte në Mbretërinë e Bashkuar dy vjet më parë. Shqiptari pranoi se nuk ishte “skllav” por deklaroi se ishte nën presion të madh nga pronarët e tij. Atij i mungonte një dhëmb i përparmë dhe avokati mbrojtës tha se një prej personave për të cilët punonte ia kishte thyer me grusht.