Gjatë ditëve të fundit qindra afganë kanë braktisur vendin e tyre i cili është marrë në kontrollin e talibanëve dhe kanë gjetur strehim në Shqipëri. Menjëherë pas mbërritjes vendi që u ka pëlqyer më shumë ka qenë Shëngjini dhe pa humbur kohë, ata kanë dalë për të shëtisur në plazh.
Së fundmi prestigjozja amerikane “The New York Times” i ka dedikuar një reportazh të veçantë jetës së tyre në Shqipëri.
Gazeta amerikane ndjek në veçanti fatin e refugjatëve të strehuar në resortet e Shëngjinit, ku burra e gra afganë duken ende disi të hutuar, peng të kujtimeve dhe frikës për familjarët ende në atdhe, por edhe mirënjohës për mundësinë që po i jep populli shqiptar.
Për shumë prej tyre, ky është edhe rasti për të përjetuar gjëra që nuk kishin mundësi të bënin në Afganistan.
Pushuesit shqiptarë, kryesisht nga Kosova, duket se po i mirëpresin ato, dhe nuk duken të shqetësuar nga prania e tyre.
“Jemi refugjatë luksi. Shkojmë në plazh, shohim vajza gjysmë të zhveshura, flemë dhe hamë rregullisht. Për pjesën më të madhe të njerëzve, kjo është parajsa”, thotë një ish-përkthyes.