Nga falsifikimi i firmave të personave që nuk janë fare në Shqipëri e gjer tek manipulimi me numrin e delegatëve dhe ndërhyrjet në sistemet kompjuterike janë vetëm maja e asbergut e farsës së zgjedhjeve në Gjirokastër. Është vetë Akademia e Futbollit Gjirokastër ajo që ka depozituar kallëzim penal për falsifikim dhe shpërdorim detyre ndaj Ilir Shulkut, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Sadik Sadikajt, me detyrë Kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër.
Akademia e Futbollit Gjirokastër nënvizon se shkeljet nga personat përgjegjës janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjes së Kreut të Shoqatës së Futbollit të Gjirokastres, sipas interesave klienteliste të kreut aktual të FSHF-së. “Në analizë të parashikimeve të dispozitave statutore të referuara si më sipër, cmojmë se z.Ilir Shulku, me detyre Sekretar i Përgjithshëm i Federatë Shqiptare të Futbollit dhe z.Sadik Sadikaj me detyrë Kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë manipuluar procedurat për zgjedhjen e delegatëve, përfaqësues të SHRFK-së, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, me qëllim ndikimin në procesin e zgjedhjes së Kreut të FSHF-së, duke paracaktuar rezultatin.
Çmojmë se ekzistojnë dyshime të arsyeshmë për ndikim të jashtëligjshëm në procesin e zgjedhjes se Kreut të FSHF-së, me qëllim paracaktimin e rezultatit, Pasi në disa shoqata rajonale para procesit zgjedhor, është shtuar numri i delegatëve dhe në disa prej tyre është reduktuar, pa asnjë shkak të ligjshëm, në kundërshtim flagrant me parashikimet e Statutit dhe Rregullores së Përgjithshme të FSHF-së. Kërkojmë kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me procedurën ligjore të ndjekur nga Komisioni i Verifikimit, për caktimin e numrit të delegatëve të Shoqatës së SHRFGJ-së”, thuhet në kallëzim.
Përfaqësuesit legjitimë të sportit në Gjirokastër rendisin një sërë provash para organit të akuzësh që faktojnë skandalin me zgjedhjet me qëllim zgjedhjen me çdo kusht të Armand Dukës në krye të FSHF-së edhe për një mandat të gjashtë.
Manipulimi me delegatët
Në kallëzim thuhet se në njoftimin e dërguar anëtarëve të SHRFGJ-së, nga Kryetari i Shoqatës Sadik Sadikaj, janë pasqyruar rrethana të rreme, me pasojë falsifikimin e aktit pasi më datë 29.01.2022, nuk është zhvilluar asnjë mbledhje, nuk është kryer asnjë verifikim në lidhje me kourumin, si dhe nuk është marrë asnjë vendim nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të SHRFGJ-së pasi anëtarët legjitim të shoqatës kanë njoftuar paraprakisht, mospjesmarrjen në mbledhjen e asamblesë.
“Rezulton se më datë 30.01.2022, ora 10:00 ne ambientet e hotel Nr.one është mbajtur mbledhja e anëtarëve të supozuar të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Gjirokastër. Në këtë mbledhje pretendohet se kanë marrë pjesë përfaqësuesit e anëtarëve të kësaj shoqate, 4 nga 9 që janë në total. Këto 15 anëtarë pretendohet se kanë votuar z. Sadik Sadikaj, për kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër. Gjithashtu në kundërshtim flagrant me parashikimet statutore dhe me rregulloren e pergjthshme të asamblesë, disa nga anëtarët prezent jo-legjitim, kanë votuar për zgjedhjen e 4 delegatëve të SHRF Gjirokastër në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së”, thuhet më tej.
Në provat e depozituara në prokurori konstatohet se në mbledhjen e manipuluar të datës 30 janar, me direktivat e dhëna nga Sekretari i Pergjithshem i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku është kërkuar dhe kanë marrë pjesë persona që nuk kanë asnje lloj lidhje me shoqatën në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakon që delegatët duhet të jenë punonjës të autorizuar nga anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër.
Ndërkaq, edhe mbledhja është zhvilluar nën kuorumin e nevojshëm, me pjesmarrjen e 4 anëtarëve të shoqatës nga 9 anëtarë që duhet të jenë, ku anëtarët e tjerë prezent që kanë marrë pjesë në mbledhje kanë qënë persona anonim (delegate jo-legjitim), konkretisht shtetasi Neritan Novi është futur në mbledhje si përfaqësues i Dropullit, kur administrator është Dhimitraq Shoni. Si dhe ka marrë pjesë në mbledhje Petraq Meci, i cili nuk përfaqëson asnjë anëtar të shoqatës dhe nuk eshte ne asnje pozicion pasi eshte shkarkuar nga te gjitha funksionete e A.F LUFTETARI nga bordi drejtues,
Ndërhyrja në sistemet kompjuterike
Në dosje jepen fakte se si njoftimet e anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër janë realizuar nëpërmjet një emaili i cili nuk administrohet nga anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokaster, por sipas informacioneve, këto emaile janë hapur nga punonjës të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe administrohet po nga ata. “Duke futur në këtë mënyre apo hequr të dhëna në mënyrë të paautorizuar nga sistemi elektronik nën administrimin e Shoqates Rajonale te Futbollit Gjirokastër, me pasojë pavlefshmërinë e njoftimeve dhe vendimeve të kësaj shoqate. Ndodhur para këtij fakti kërkojmë identifikimin e IP-se (vendodhjes dhe identifikimi i kompjuterit apo njësisë), nga e cila janë dërguar emailet në adresë të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokaster”, thuhet në kallëzim.
Falsifikimet
Krahas manipulimit me listat e delegatëve, skandali thellohet edhe më shumë kur persona që nuk jetojnë fare në Shqipëri, firmosin dokumente dhe japin votën në favor të rizgjedhjes së Armand Dukës. Flagrant është rasti i Vangjel Cavos, administrator i KF Luftëtari, i cili prej më shumë se një viti nuk ndodhet në Shqipëri. Ky i fundit, edhe pse ndodhet jashtë, çuditërisht ka autorizuar Altin Çomon që të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të SHRFGJ-së. Edhe më e rëndë është fakti që administratori ka dosjen e hapur në prokurori për abuzime me fondet e ekipit të Luftëtarit. “Ekzistojnë dyshime të arsyeshme së autorizimi është i falsifikuar, në kushtet kur administratori i personit juridik nuk ndodhet në Shqipëri prej disa kohësh dhe kërkojmë të kryhen hetime në drejtim të këtij fakti. Për më tepër sh.a F.K Luftëtari është kallëzuar në prokurori nga aksioneri i cili zoteron 25 % te aksioneve, Bashkia Gjirokastër për vjedhje dhe shpërdorim të fondeve etj, përveë kësaj rezulton se “KF LUFTËTARI” SHA, me administrator Vangjel Cavon, është nën sekuestro.
Kërkesat ndaj prokurorisë
1-Kryerjen e një hetimi të plotë nga organi i akuzës, në lidhje me identifikimin e plotë të listës së delegatëve pjesmarrës në mbledhjen e zhvilluar me datë 30.01.2022, për zgjedhjen e delegatëve të Shoqatës së Futbollit të Gjirokastrës.
2-Sekuestrimin e gjithë dokumentacionit të hartuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër, si dhe të gjithë serverave të këtyre dy institucioneve.
3-Ndjekje penale të shtetasve Ilir Shulku, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatë Shqiptare të Futbollit dhe Sadik Sadikaj me detyrë Kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, si personat përgjegjës për administrimin e dokumentacioni elektronik dhe fizik të institucioneve që përfaqësojnë.