Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në gati tetë vite, ajo që ka bërë si drejtues i PD-së është dështimi i çdo kauze, tradhtia ndaj demokratëve, duke e çuar forcën më të madhe opozitare nga humbja në humbje.
Për herë të parë në historinë e demokracisë në Shqipëri, PS-ja mori tri mandate radhazi, dhe PD-ja tri mandate në opozitë. Dhe kjo falë Lulzim Bashës dhe “misionit” të tij, të cilin duket se e ka arritur në “perfeksion”.
Por, “vula” e dështimeve të Lulzim Bashës, duket se ishte 25 prilli i vitit 2021. PD-ja nën drejtimin e Lulzim Bashës humbi turpshëm zgjedhjet, duke i “dhuruar” Edi Ramës mandatin e tretë qeverisës.
Ndërsa Lulzim Basha në vend të merrte përgjegjësi për humbjen doli e tha “beteja sapo ka filluar”.
Në fakt ngjarjet pas shtatorit 2021 treguan se “betejën” nuk e kishte me Edi Ramën, por me demokratët.
Në 9 shtator, duke u “fshehur pas SHBA-së”, me një vendim personal e të pakonsultuar me strukturat e partisë, Lulzim Basha përjashtoi ish-kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar i PD-së.
Veprim i cili thelloi përçarjet në PD. Berisha nisi lëvizjen e tij, “Foltoren” me demokratët në çdo qytet. Kuvendi i 11 dhjetorit dhe referendumi i 18 dhjetorit 2021, treguan qartë se demokratët nuk e mbështesin më Lulzim Bashën dhe nuk e donin në krye të partisë. Por, ky i fundit sërish tentoi të mbajë me dhunë vulën dhe selinë. Duke arritur deri te “çmenduria” e radhës, blindimi i selisë së PD-së.
Ndërsa në protestën e 8 janarit, demokratët u dhunuan dhe iu hodh gaz lotsjellës.
Për të ardhur më pas në zgjedhjet e 6 marsit 2022, ku partia e Bashës jo vetëm që nuk mori asnjë bashki, por në mënyrë të turpshme, u katandis forcë e tretë politike.
Basha humbi çdo betejë politike që prej vitit 2013 kur mori drejtimin e PD-së. Asnjëherë nuk dha dorëheqjen, por gjente alibi të tipit “zgjedhjet janë vjedhur, 25 prilli ishte masakër zgjedhore”, e të tjera si këto.
Ndërsa “nën rrogoz”, duket se vijonte marrëveshjet me kryeministrin Edi Rama.
Por, pas dështimit më 6 mars, Lulzim Basha iku në mënyrë të turpshme. Doli e deklaroi dorëheqjen e tij, edhe pse në fakt vijon të mbajë “peng” faqen e PD-së në rrjetet sociale, ku “vërsul” servilët e tij.
Por, pas gjithë këtyre zhvillimeve sot zhvillohen zgjedhjet për kryetar të PD-së, ku në garë janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kreu i degës së PD-së në Kukës, Ibsen Elezi.
Por, Lulzim Basha pasi iku me turp nga selia e PD-së, tashmë është “zhdukur” në drejtim të paditur. Dhe nuk ka asnjë reagim për zhvillimet në selinë blu.
Ose ndoshta mendon se “supermeni” që i ka dhënë të paktën 6 detyra, do të mund të vijojë ta mbajë “peng” PD-në, për interesat personale të Lulzim Bashës.