Dritan Muskurti i cili u vra nga i vëllai, kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje në Gjykatën e Tiranës. 44-vjeçari kërkonte mbrojtje nga vëllai i tij, Arsen Muskurti, i njëjti që pasditen e së martës mbërriti i qetë tek biznesi i tij pranë rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet dhe hapi zjarr drejt të vëllait dhe kunatës Nora Muskurti, duke i varë në vend.
Kërkesa për “urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje” ishte regjistruar në 26 gusht. Gjykata nuk mundi ta shqyrtojë, pasi, ndonëse ishte kërkuar mbrojtje e menjëhershme, seanca e parë gjyqësore për të ishte caktuar më 6 shtator.
Prej më shumë se 1 viti vëllezërit Muskurti ishin në një përballje gjyqësore për një shumë të konsiderueshme financiare në lidhje me pronësinë e një agjencie turistike, të krijuar bashkë vite më parë.
Në këtë proces civil viktima Dritan Muskurti në rolin e paditësit, kërkonte nga vëllai i tij Arsen, kthimin e një shumë prej më shumëse 17 milionë lekësh të rinj.
“Detyrimi i të paditurit t’i kthejë paditësit shumën prej 17.3 milionë lekë si dhe interes mbi këtë shumë nga data 01.10.2018 deri në ekzekutimin e detyrimit”, thuhej në objektin e padisë. Ky proces kishte nisur në janar të vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa seanca e radhës ishte caktuar në 27 shtator.