Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e Mustafa Licit, lidhur me atentatin e 8 shtatorit në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa shënjestër dyshohet se ishte Erogen Vaso (Brajoviç), i plagosur së bashku me një kamarierë 25-vjeçare.
Gazetari Elton Qyno raporton se marrja në pyetje e Licit është zhvilluar në banesën e tij në Kiras, pasi ai ka refuzuar të paraqitet në komisariat, duke iu përgjigjur oficerëve: “Nuk dal nga kulla jeme.” Pas kësaj, një grup hetuesish është detyruar të shkojë në shtëpinë e tij, ku Lici dha shpjegime mbi lëvizjet e datave 7 dhe 8 shtator, si dhe për mungesën e dy djemve të tij, të dhëna që ende nuk janë bërë publike.
Në lidhje me banesën tjetër në Kiras, ku u zbuluan armë, municione dhe dronë, Lici ka deklaruar se ajo është pronë e motrës së tij, e cila jeton prej pesë vitesh në një vend të BE-së dhe e ka dhënë me qira. Për të bindur hetuesit, Lici e kontaktoi motrën përmes “WhatsApp”, e cila komunikoi me oficerët nëpërmjet një video-telefonate, duke pretenduar se ka kontrata noteriale për qiradhënien.
Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Barush Bregun krahu i cilësuar si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i autorit të atentatit dhe si personi që ka furnizuar me arsenal armësh Ragip Gilën.





