Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundmi në Spanjë në qytetin e Alicante, Bigastro. Mediat spanjolle bëjnë me dije se anëtarët e Gardës Civile arrestuan një grua të hënën pasi dyshohet se vrau djalin e saj dy vjeçar. Të shtunën e kaluar, më 11 qershor 32-vjeçarja shqiptare ka bërë një telefonatë në shërbimin e urgjencës ku ka raportuar se djali i vogël ishte pa ndjenja pasi kishte goditur aksidentalisht një tavolinë. Kur u transferua në spital, u konstatua se fëmija kishte disa fraktura. Në spital është dërguar edhe djali tjetër i gruas, vëllai binjak i viktimës i cili nga analizat mjekësore të kryera rezultoi se kishte disa mavijosje.
Nga raporti paraprak i autopsisë rezulton se fëmija ka qenë viktimë e një vdekjeje të dhunshme. Ai kishte një mori lëndimesh të brendshme dhe kockore nga periudha të ndryshme. Edhe fëmija tjetër i shtruar në spital ka shenja dhune dhe ka dyshime se janë keqtrajtuar nga nëna e tyre shqiptare pasi ajo ishte e vetmja që jetonte me ta. Nëna u shtrua në repartin psikiatrik të Hospital de la Vega Baja për tentativë vetëvrasjeje por pasi ka dalë nga spitali është dërguar në paraburgim.