Duke lënë mënjanë ditën e sotme me reshje shiu e ulje temperaturash, për javë që presim përpara rikthehet moti i qëndrueshëm si dhe rritje temperaturash.
Në këtë mënyrë dita e nesërme (e Hënë) parashikohet me kthjellime por edhe alternime vranësirash hera-herës deri të dendura. Nga orët e mesditës deri ato të pasdites reshje shiu afatshkurtra në formë shtrëngatash. Në relievet malore në formë stuhish e rebeshesh të izoluara, raporton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Për ditën e Martë pritet një përmirësim i mëtejshëm. Moti parashikohet i kthjellët e vranësira të pakta deri mesatare kalimtare. Por, në relievet malore në lindje nga orët e mesditës deri ato të pasdites reshje shiu afatshkurtra në formë rrebeshesh dhe stuhi shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Duke filluar nga dita e Mërkurë deri ditën e Premte moti parashikohet i kthjellët përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në lindje të territorit. Gjithashtu parashikohet mot i nxehtë dhe temperatura të larta për shkak të masave ajrore jugore.