Deputetët e grupit parlamentar, mbështetës të Bashës deri në 6 mars, kanë përgatitur një kërkesë ultimative ndaj kryetarit të shkarkuar Lulzim Basha.
Mësohet se kërkesa është çuar në selinë e PD duke i kërkuar Bashës dorëheqjen nga drejtimi i partisë deri në orën 10:00, në të kundërt do të ketë një dalje të tyre publike, ku do të bëhet e ditur edhe kërkesa e tyre.
Deputetët që kanë kërkuar largimin e Bashës janë shtuar nga dita në ditë, pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, ku kryetari i shkarkuar u rendit i fundit në çdo bashki.
Agron Gjekmarkaj ka qenë një nga të parët që kërkoi dorëheqjen e Bashës nga posti i tij.
Pas tij janë edhe të besuarit e tjerë, si Grida Duma e cila ditën e sotme dha dorëheqjen edhe si nënkryetare, Ervin Salianji, Dhurata Çupi apo Ferdinand Xhaferri.
Listës së emrave që kërkojnë largimin e Bashës i shtohen edhe: Merita Bakiu, Dashnor Sula, Agron Shehaj, Flutura Açka, Ilda Dhori, Tomor Alizoti, Emilja Koliqi, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Ramadan Lika, Xhelal Mziu, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj.