Home AKTUALITET Serbia i doli në krah Rusisë, Rama nuk tërhiqet nga Ballkani i...

Serbia i doli në krah Rusisë, Rama nuk tërhiqet nga Ballkani i Hapur

717
0

Kryeministri Edi Rama thotë se Ballkani i Hapur është një projekt i gjerë që ka mbështetjen e SHBA dhe BE, dhe se “nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, në kuadër të zhvillimeve të fundit gjeopolitike në Europë.

Rama tha se qëndrimi i Serbisë krah Rusisë ka qenë i ditur, dhe nuk është dashur pushtimi i Ukrainës për ta zbuluar këtë gjë, megjithatë shtoi se sipas “informacioneve paraprake” të tij, qëndrimi i presidentit serb Akelsandër Vuçiç është njohja e integritetit territorial të Ukrainës.

Megjithatë, Rama nuk përjashoi mundësinë e ndryshimit kursit në këtë aspekt, duke thënë se me zhvillimet e fundit në botë ka shumë paqartësi.

“Do të shikojmë rrugës se çfarë do të bëjmë”, u shpreh kryeministri duke shtuar se “për momentin nuk shoh asgjë për t’u shqetësuar”, përfundoi Rama.

Pjesë nga deklarata e Ramës:

Për sa i përket Serbisë, është një rast për ata që nuk lënë rast pa u marrë me Ballkanin e Hapur që të spekulojnë përsëri. Ne nuk kemi pasur ndonjë mungesë qartësie apo pozicioni për politikën e jashtme të Serbisë kur e kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur të sulmohet Ukraina nga Rusia që të zbulojmë lidhjet e Serbisë. Nga informacioni paraprak që kam presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës. Pra një qëndrim tipik i dyfishtë. Sa i përket Ballkanit të Hapur është një çështje që pret, sepse kemi shumë gjëra për të parë në vijim, jo në raport me Serbinë, por si do zhvillohet ky proces.

Por sot jemi në momentin kur mos e dhëntë zoti të shohim lidershipin e Ukrainës të vrarë ose të marrë peng, mund të shohim vendosjen e një qeverie kukull, ndërkohë që nga ana tjetër ka filluar vendosja e sanksioneve dhe si do të sillen vendet e aleancës me vendet e tjera që janë neutrale apo me dy këndvështrime. S’kemi asnjë arsye të ngutemi, dhe Ballkani i Hapur nuk është projekti i krijimit të ndonjë organizate apo organizmi ndërkombëtar në rajon, apo aq më pak krijimi i një Jugosllavie të Re.

Nuk jemi në Ballkanin e Hapur për të përputhur Serbinë me SHBA, apo për të ndryshuar qëndrimin ndaj Moskës. Nga ana tjetër s’jemi këtu për të kërkuar që Serbia të bëjë këtë. Marrëdhëniet tona për Ballkanin e Hapur janë strategjike rajonale, për të shmangur edhe atë që u tha në pyetje, konfliktin që do t’i bënte një dëm të paparë rajonit. Ballkai i Hapur është shumë më tepër se një projekt lokal, është një projekt i mbështetur shumë fort nga SHBA dhe që nuk e ka më atë kundërshti, kështu që ne do të shikojmë rrugës çfarë do të bëjmë, por për momentin nuk shoh ndonjë gjë për t’u shqetësuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here