Tensionet mes Moskës dhe Kievit sa po vijnë dhe po rriten më shumë. Ndërsa sulmet ruse në Ukrainë nuk janë ndalur, mijëra ukrainas janë përpjekur të largohen nga vendi i tyre.
Ndërkohë nga ana tjetër ndihmësi i Vladimir Putinit, Vladimir Medinsky garantoi sigurinë e misionit ukrainas, tha se delegacioni rus tashmë ka mbërritur në qytetin e Gomelit në Bjellorusi dhe do të presë përgjigjen e Ukrainës deri në orën 15:00.
Përfaqësuesit e qeverisë ukrainase nuk kanë plane të udhëtojnë në Bjellorusi për bisedime, është shprehur nga ana e tij zëdhënësi i Zelensky, Sergei Nikiforov.“Ne kemi dëgjuar raporte se një delegacion rus ka ardhur në Gomel për bisedime. Duhet të themi se përfaqësuesit e Ukrainës nuk do të jenë atje. Kjo u diskutua si mundësi , por në minutën e fundit negociatorët rusë i kërkuan ushtrisë ukrainase që së pari të dorëzonte armët”, thotë ai.
Më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se nuk do të shkojnë në Minsk për negociata, për shkak se sipas tij Bjellorusia është një vend armiqësor.
“Sigurisht, ne duam paqe, duam të takohemi, duam fundin e luftës. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku -,të gjitha këto i propozuam palës ruse. Dhe çdo qytet tjetër na përshtatet. Në një vend nga territori i të cilit nuk lëshohet asnjë raketë”, ka thënë Zelensky.