Kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës në Lushnje, ku dhe ka prezantuar kandidaten e PS për kryetare bashkie, Eriselda Sefa, ka deklaruar se nuk i njeh si kandidatë ata të forcave të tjera politike. Sipas Ramës fakti që përfaqësojnë Bravën, duke iu referuar Lulzim Bashës, i skualifikon në sytë e tij.
“Sot jemi këtu se në datën 6 kemi zgjedhje në Lushnjë. Ka një palë zgjedhje ku ka disa kandidatë. Nuk i njoh ata dhe nuk do flas asnjë fjalë për ta. Por fakti që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë bravën dhe bishtin e varresë, i skualifikon në sytë e mi dhe mendoj se duhet t’i skualifikojë në sytë e çdo shqiptari, përkundër Eriseldës që është një vajzë e ardhur pikërisht nga kjo tokë në një rrugëtim që e ka nisur shumë vite më parë dhe në të cilin ka hedhur hapat duke pasur ambicien e pa qenë vajza e dikujt me mbiemër të famshëm. Pa qenë dikush që e kanë ngritur nga hiçi në majë, por hap pas hapi, shkallë pas shkalle.
Kjo është një vajzë e kësaj toke, që ka treguar se di t’i shërbejë këtij komuniteti, di të jetë dikush që pavarësisht bindjeve të saj nuk i ndan njerëzit në miq e kundërshtar, në të tanët dhe të atyre, por i vlerëson të gjithë si qytetarë. Për herë të parë Eriseldën e kam parë në 2011. Bëhej një sherr i madh dhe ishin 4 burra që donin të ishin kryetar komune, por një do të zgjidhej. Sherri kishte arritur në pikën sa që nuk gjendje dakordësi mes tyre. Ata erdhën në Tiranë.
Erdhi dhe një vajzë, e na tha jam kandidate me ata atje, që të hanin të gjallë. Por ja ku është sot, s’u vendos atëherë si kandidate, por nuk u dorëzua, nuk u mërzit, vazhdoi rrugëtimin e saj, iu përkushtua edhe për arsye akademike pushteti vendor dhe sot është me të gjithë bindjen tonë kandidatja e duhur për Lushnjën në këtë moment dhe kryetarja e duhur për bashkinë, për të kaluar në një fazë tjetër pune, ndërveprimi dhe për të krijuar atë frymë që ka kaq shumë nevojë komuniteti.
Fytyrën e të ndjerit të respektuar, begenisur, e përkujdesur. Kjo duhet bërë në respekt të gjithë atyre që sot nuk kanë mundësi të bëjnë një gjë të tillë. Në respekt të atyre që janë në kushtet që mund ta humbin një mundësi të tillë”, tha Rama.