Nënkryetarja e shkarkuar e PD, Grida Duma i ka kërkuar Lulzim Bashës që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.
Pas deputetëve, Bushati, Gjekmarkaj dhe Sula të cilët kanë kërkuar që Basha të mbante përgjegjësi për humbjen dhe të jepte dorëheqjen, ka qenë edhe vetë Grida Duma e cila e ka kërkuar diçka të tillë.
“Jep dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD. Tani para se të na drejtohesh ne me pyetje kam unë një pyetje për ty: A ndjen ti kryetar përgjegjësi morale personale për këtë humbje?! Lideri në një parti politike është 90 % dhe numrat dy tre apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e nisët fjalën tuaj kryetar duke thënë ose me mua ose këtu do tju vijë Sali Berisha. Sali Berisha duke dashur tju munde ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë ne bëmë gjithçka të mos e bënim betejën Berisha kundër Bashës por nuk e evituam dot. Ju thoni sot këtu “o të jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha” pra o unë o askush nuk mundet. Çka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është edhe më i rrënjosur”, mësohet të ketë thënë Duma.