Home AKTUALITET Përgatituni për rritjen e çmimit të energjisë/ Rama jep arsyet

Përgatituni për rritjen e çmimit të energjisë/ Rama jep arsyet

2134
0

Kryeministri Edi Rama, ka folur sërish për rritjen e çmimit të energjisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri shkruan se Shqipëria nuk e prodhon dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet.

Rama thotë se për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht, duke theksuar se ka gjasa që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë.

Në fund të postimit, Rama ka dhënë mesazhin se duhet ta përballojmë këtë situatë me kurajo, besim dhe durim.

Deklarata e plotë e kryeministrit Edi Rama

Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet.

Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë!

Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht!

Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë!

Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjitike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël.

Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek!

Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë.

Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi.

POR të gjithë duhet të vetëdijësohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje.

Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajo, besim dhe durim. Të bashkuar jo të ndarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here