Kryeministri Edi Rama e ka quajtur sërish një turp kombëtar protestën që po mbahet për disa ditë radhazi nga mijëra shqiptarë për rritjen e çmimeve.
Në takimin me pensionistët për paketën e rezistencës Sociale, Rama tha se kjo qeveri ka dëgjuar çdo protestë që është mbajtur deri më tani, ku përmendi protestat studentore apo për armët kimike.
Sipas kreut të qeverisë, ndryshe nga koha kur dilje në protestë dhe mund të vriteshe, sot dëgjohen të gjithë qytetarët, por sipas tij kjo protestë nuk është nisur nga populli, por nga njerëz të tjerë.
“Edhe njerëzit që nuk kanë pasur dëme nga tërmeti dhe njerëz të sëmurë nga pandemia, stresin e kanë pasur, pasi s’mund t’i faturonim edhe rritjen e çmimit të energjisë. Ne kemi vënë një mburojë financiare, që e kemi deklaruar që në momëntet e para të krizës. Që nga fatura e ardhshme do e merrni edhe këtë informacion, për t’ju thënë sa është çmimi real dhe sa është diferenca që paguan qeveria. Kjo qeveri është krejt e kundërta e asaj që pikturojnë me propagandë ca të tjerë që me turma dalin dhe e bëjnë Shqipërinë të vetmin vend që proteston për pasojat e luftës.
Ajo protestë është një turp kombëtare dhe nuk është një arrogancë. Faktet janë aty dhe kujtesa mund ta konfirmojë këtë që them. Nuk ka pasur qeveri më të kujdesshme ndaj protestave. Kur haje plumbin nëse dilje në protestë, tani ne i kemi dëgjuar protestat me respekt. Insitucionin e protestave e kemi respektuar. Është demokratike që mund të sjellë vlerë të shtuar për qeverisjen“, tha Rama.