NGA: Kastriot Myftaraj
Historia e Edi Ramës me maskën është si historia e mbretit vëllavrasës te tragjedia “Hamleti”
Endri Fuga drejtori i Komunikimit në Kryeministri thotë të vërtetën kur njofton publikun që incidenti me maskën në aeroplanin gjerman ka ndodhur më tepër se katër muaj më parë, në 3 dhjetor 2021 dhe për të Lufthansa ka kërkuar falje. Por Lufthansa ka kërkuar falje sepse Edi Rama ka paraqitur një raport mjekësor të lëshuar nga një klinikë shumë autoritare ndërkombëtare që i jepte të drejtën të mos përdorte maska që i krijonin pacientit idenë e mbytjes sepse së fundmi kishte kaluar një krizë të rëndë psikologjike. Kuptohet që Lufthansa ruan konfidencialitetin për këtë çështje.
Kriza e rëndë Edi Ramës ka nisur t’ i shfaqet që pas 15 tetorit 2021 kur në Qerret të Kavajës vdiq i mbytur në rrethana enigmatike vëllai rus i tij, Sergei Burenkov, së bashku me tre familjarë të tij. Është një histori si ajo që tregon Shekspiri te tragjedia “Hamleti” ku mbreti uzurpator Klaudius që kishte vrarë vëllain e tij Mbretin Hamlet (atin) pëson një krizë gjatë shfaqjes teatrale ku tregohet një histori vëllavrasjeje. Klaudiusit i shfaqet fantazma e vëllait të vrarë dhe shfaqja ndërpritet se mbreti vëllavrasës kërkon dritë, ndriçim në sallën ku ishte e ndricuar vetëm pjesa e skenës. Edi Rama kërkonte ajër në aeroplanin e Lufthansës, pikërisht siç kërkonte vëllai i tij rus në hotelin në Qerret në momentet e fundit të jetës.
Sipas shqipërimit të bukur të Fan Nolit:
“Drama është gracka,/
Ku shpirti i mbretit kapet si laraska.”
Në rastin e Edi Ramës mund të thuhet:
“Aeroplani gjerman ishte gracka,
ku krimi i Edit u zbulua nga maska.”
Në aeroplanin gjerman Edi Ramës iu shfaq fantazma e vëllait rus të vdekur.