Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mbrojtur Sllobodan Millosheviqin duke thënë se ai nuk ishte fajtor për luftën në Kosovë, ani se ky i fundit njihet si “Kasapi i Ballkanit”.
“Sot, gjërat janë shumë më të vështira sesa atëherë. Sot kur flasim për konfliktin në ish-Jugosllavi, ne gjithmonë e gjejmë fajtorin te dikush tjetër. Mendoj se duhen dy palë për luftë. Dhe unë them se [Sllobodan] Millosheviqi nuk ishte fajtori, por ishte detyrë e tij t’i llogariste pasojat”.
Madje, ai deklaroi se Millosheviqi vetëm i ka kalkuluar pasojat derisa bëri edhe një krahasim me situatën e sotme në luftën Ukrainë-Rusi.
“Të njëjtën gjë do t’ia thoja sot [Vladimir] Putinit dhe [Volodymyr] Zelenskyt: ju takon juve ta pranoni fajin – të jeni tradhtarë, të humbni zgjedhjet, por të shpëtoni vendet tuaja”.
“A është dikush në Ukrainë që të llogarisë se dikush do të ndërhyjë dhe në fund ata do të nënshkruajnë të njëjtën marrëveshje që do të nënshkruanin tani. Vetëm vendi do të jetë shumë më i shkatërruar. A doni një fund të luftës apo fitore – kjo është një pyetje për të dyja palët. Kam frikë se të gjithë presin fitoren. Dhe nëse po, mund t’ju them sonte se ditët, javët dhe muajt përpara nesh vetëm do të përkeqësohen”, ka thënë ai për televizionin serb “Prva”, transmeton Klankosova.tv.
I pari i Serbisë foli edhe për mossanksionomin e Rusisë duke thënë se nuk mund ta ‘dënojnë’ aleatin e vetëm që ka qenë në anën e tyre në dhjetë vjetët e fundit.