Një 24-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Hamburg, Gjermani pas një goditje me thikë. Mediat gjermane bëjnë me dije se pavarësisht ndërhyrjes në spital shqiptari nuk ka mundur të mbijetojë. Bëhet e ditur se mbrëmjen e kaluar shqiptari është goditur me thikë nga një 36-vjeçar maqedonas. Dy burrat njiheshin me njëri-tjetrin dhe mësohet se janë përleshur edhe më parë ndërsa në sherrin e mbrëmshëm të dy kishin përdorur thika.
Shqiptari ka humbur jetën nga ky sherr i përgjakshëm ndërsa maqedonasi ka mbetur i plagosur rëndë nga një goditje me thikë në qafë. Ai shkoi vetë në spital dhe tani është jashtë rrezikut për jetën. Policia gjermane po heton për shkaqet e ngjarjes së rëndë ndërkohë që ka shoqëruar në Komisariat dy burra por i ka lënë të lirë sërish.